Δευτέρα 13 Σεπτεμβρίου 2010

PSIKOLOGJIA. PERKTHIME. ARTIKUJ. STUDIME...

 
Kapitulli 12

KARAKTERISTIKAT PSIKOLOGJIKE TË PERSONALITETIT


Njohuri të përgjithshme mbi personalitetin

Psikologjia nuk kufizohet vetëm me studimin e proceseve psikike njohëse, emocinale, të vullnetshme dhe me shqyrtimin e anës psikologjike të veprimtarisë.
Ajo studjon edhe ato veçori të qenësishme dhe të qëndrueshme, që e bëjnë një njeri të dallojë nga njerëzit e tjerë, d.m.th. ato veçori që përcaktojnë personalitetin e tij.
Çdo njeri ka një mori veçorish psikologjike, ka aq shumë lloje veçorish sa nuk mund të gjesh dy njerëz identik me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër çdo njeri ka personalitetin e vet, por jo të gjitha veçoritë që ka njeriu dhe jo çdo lloj veçorie përcakton personalitetin e tij.
Personalitetin e përcaktojnë veçoritë psikologjike më të qenësishme dhe më të qëndrueshme. Në kategorinë e veçorive që përcaktojnë personalitetin e njeriut, bëjnë
pjesë bindjet dhe idetë, interesat, aftësitë, temperamenti dhe karakteri. Bindjet, idealet dhe interesat përcaktojnë drejtimin e personalitetit, përcaktojnë se çfarë do, cilat janë dëshirat dhe pikësynimet e njeriut. Aftësitë përcaktojnë se çfarë mundet të bëjë d.m.th. cilat janë mundësitë e tij, kurse karakteri përcakton se kush është ai faktikisht, ç'qëndrim mban ai ndaj vetëvetes, shoqërisë dhe fenomeneve të ndryshme shoqërore.
Njohja e veçorive psikologjike, që përcaktojnë personalitetin ka rëndësi të dorës së parë për të kuptuar psikologjinë e një njeriu në tërësi, sepse veçoritë psikologjike të personalitetit ushtrojnë një ndikim të thellë si në proceset e veçanta psikike, ashtu edhe mbi njëra-tjetrën.
Pra, me personalitet kuptojmë tërësinë e veçorive psikike më të qënësishme dhe të qëndrueshme, që e dallojnë një njeri nga njerëzit e tjerë.
Personaliteti i njeriut formohet si rezultat i jetës që bën njeriu në shoqëri. Bindjet, idelet dhe interesat formohen në procesin e veprimtarisë aktive dhe nën ndikimin e kushteve të jetës dhe të edukatës, në të cilën ndodhet njeriu që në moshën e tij të re. Në këto kushte zhvillohen edhe aftësitë e ndryshme dhe formohet karakteri injeriut. Zhvillimi i gjithanshëm i çdo individi kushtëzohet nga zhvillimi i individëve të tjerë dhe nga zhvillimi i shoqërisë në tërësi, prandaj themi se personaliteti ka natyrë shoqërore. Personalitetin nuk duhet ta ngatërrojmë me individin. Me individ kuptojmë njeriun e veçantë. Ndërsa për të kuptuar personalitetin, duhet të kemi parasysh jo vetëm ato veti që e dallojnë atë nga të tjerët, por edhe ato veti që janë tipike për të gjithë njerëzit, Sa më të qartë ta shohim tek një individ një tipar të përgjithshëm tipik, aq më qartë shprehet personaliteti i tij. Për një njeri themi se ka personalitet, kur ai e ka përcaktuar në mënyrë të vetëdijshme qëndrimin e tij ndaj jetës dhe ka formuar botëkuptimin e tij ndaj saj. Si pasojë e përcaktimit të pozitës ndaj jetës, njerëzit kanë si të themi fizionominë e tyre shpirtërore origjinale, bien në sy për pavarësi në të menduar, për ndjenja të larta, për forcën e vullnetit dhe të pasioneve.
Personaliteti i njeriut lidhet ngushtë me jetën e njeriut në shoqëri, me grupin shoqëror ku ai jeton dhe shkallën e zhvillimit të vetë shoqërisë. Nje grup shoqëror i zhvilluar, antarët e të cilit i bashkon ambicja dhe përpjekja për arritjen e qëllimeve të larta, hap horizonte të gjëra për zhvillimin e personalitetit. Anëtarët e një kolektivi duke qënë të vetëdijshëm që luftojnë për një qëllim madhor, gjejnë në vetëvete forca të pashtershme, të cilat i venë në shërbim të çështjes për të cilën lufton kolektivi. Ky lloj organizimi shoqëror, duke i bashkuar anëtarët e tij në luftën për arritjen e qëllimeve të mëdha, krijon kushte më të favorshme për formimin e bindjeve dhe ideve, për zhvillimin e aftësive dhe për farkëtimin e karakterit pozitiv.
Personaliteti nuk është i lindur, por formohet në procesin e jetës dhe të përpjekjeve që bën njeriu për të njohur botën që e rrethon dhe për ta shndërruar atë sipas kërkesave dhde nevojave të tij. Në këtë proces ai nuk shndërron vetëm botën e jashtme, por shndërron edhe vetëveten, dhe në të njejtën kohë formon edhe personalitetin e tij.

Interesat

Në procesin e jetës, njeriu zgjeron çdo ditë kontaktin me botën që e rrethon, depërton në thelbin e sendeve dhe fenomeneve dhe përcakton se cilat prej tyre kanë rëndësi për jetën. Fill pas përcaktimit të kësaj rëndësie që kanë sendet dhe fenomenet e veçanta, njeriu e drejton vetëdijen mbi to, përpiqet t'i mbajë gjithmonë në fushën e vëzhgimit dhe t'i njohë më thellë ato. Drejtimi dhe përqëndrimi i vazhdueshëm i vetëdijes së njeriut mbi objektet, fenomenet ose mbi fusha të caktuara të veprimtarisë së tij, me qëllim që t'i njohë ato më thellë, quhet interes. Interesat kanë lidhje të ngushta me nevojat, prirjet, ndjenjat dhe vëmendjen, por kanë edhe disa karakteristike, që i dallojnë prej tyre dhe prej fenomeneve të tjera psikike.
Interesat e drejtojnë vëmendjen, perceptimin, kujtesën, dhe të menduarit e njeriut mbi objektet dhe e nxisin atë për veprimtari. Kur njeriu punon me interes e ka më lehtë dhe është më prodhues në punë. Interesat për punë, për lëndë të veçanta mësimore, për artet, shkencën dhe teknikën, e nxisin njeriun për veprimtari dhe në këtë mënyrë pregatisin kushtet për kalimin nga interesat në prirjet. Ndryshimi ndërmjet interesave dhe prirjeve qëndron në faktin se, ndërsa interesat e nxisin njeriun t'i njohë më thellë objektet, prirjet e nxisin atë për t'u marrë vetë me veprimtari. Kështu p.sh. një njeri ka interes për letërsinë dhe ai e ndjek me interes një bisedë ku flitet për të ose e lexon me interes një gazetë ose revistë letrare, por nëse nuk ndjen nevojë për t'u marrë vetë me veprimtari letrare nuk mund të themi se ai ka prirje për letërsi. Interesat ndryshojnë edhe prej vëmendjes. Kemi thënë se me vëmendje kuptojmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijes sonë në një ose disa objekte apo fenomene, ndërsa me interes kuptojmë nevojën që ndjejmë për ta drejtuar vetëdijen tonë më tepër në një objekt ose veprimtari se sa në një tjetër.
Interesat kanë lidhje të ngushtë me ndjenjat dhe emocionet.



Llojet dhe cilësitë e interesave

a) Interesat pozitive dhe negative

Vlera e interesave përcaktohet në radhë të parë nga përmbajtja e tyre. Interesat që nxisin veprimtarinë njohëse të njeriut në dobi të shoqërisë, përfshihen në kategorinë e interesave pozitive, kurse interesat që e nxisin veprimtarinë njohëse të njeriut në objekte, që s'kanë vlerë për shoqërinë, hyjnë në kategorinë e interesave negative.
Interesat pozitive janë interesat që e nxisin njeriun për të fituar dije dhe për t'i vënë ato në shërbim të shoqërisë. Për të zbuluar vlerën e vërtetë të interesave për të fituar një dije, është e nevojshme të kuptojmë se ç'e shtyn njeriun të fitojë njohuri të gjëra dhe të thella. Njerëzit në përgjithësi i shtyn dëshira për t'u dalluar nga të tjerët ose dëshira për të siguruar një post apo vend të rehatshëm pune që të fitojnë njohuri të caktuara. Ndërsa njeriun me qëllime të larta e shoqëron dëshira për t'i shërbyer një grupimi shoqëror të caktuar ku edhe ai bën pjesë, vendit të tij ose njerëzve në përgjithësi. Pra interesat shoqërore kur vihen mbi interesat personale, paraqesin vlerën më të rëndësishme dhe më të dobishme tek një individ.



b) Interesa të shumanshme dhe të njëanshme
Për zhvillimin e gjithanshëm të personalitetit është e domosdoshme që njeriu të ketë interesa të shumanshme dhe të mos përqëndrohet në një objekt ose në një sferë veprimtarie të ngushtë. Kufizimi i interesave të njeriut në një sferë të ngushtë e zhvillon atë në mënyrë të njëanshme, kufizon horizontin e tij mendor dhe pengon zhvillimin e personalitetit të tij. Zhvillimi i harmonishëm i personalitetit kërkon që njeriu të ketë interesa të shumanshme, por këto interesa të ndryshojnë në aspektin e forcës së tyre.

c) Interesat e qëndrueshme dhe të paqëndrueshme




Në jetë vihen re njerëz me natyrë impulsive, emocionale, të cilët i shfaqin në mënyrë të vrullshme interesat, por pas një farë kohe vihet re se ata e kanë zëvendësuar një interes me një tjetër. Nga kjo kuptohet se qëndrueshmëria e interesave nuk përcaktohet aq shumë nga forca sesa nga nga thellësia dhe lidhjet e ngushta të interesave me vetitë e tjera të personalitetit.
Interesat thelbësore, kur ndryshojnë kushtet, duhet të ndryshojnë, pra duhet gërshetuar qëndrueshmëria e interesave me lëvisshmërinë e tyre në përputhje me kushtet dhe nevojat e shoqërisë.



d) Interesat aktive dhe pasive



Duke u nisur nga fakti se me ç'forcë shfaqen dhe sa e nxisin veprimtarinë njohëse të njeriut, interesat i ndajmë në interesa aktive dhe pasive. Interesat pasive nxisin vëmendjen e pavullnetshme dhe me kaq mbaron roli ityre, kurse interesat aktive bëhen shtytëse të njeriut për veprimtari konkrete.
Interesat pasive mund të kalojnë në aktive ose në të kundërtën, interesat aktive mund të kalojnë në pasive sipas kushteve ku jeton njeriu dhe qëllimeve të tij.
P.sh. nëse njeriun e tërheq letërsia, por ai nuk lexon libra, revist, apo gazeta letrare, në këtë rast kemi të bëjmë me një interes pasiv; dhe nëse atë e tërheq letërsia dhe angazhohet dhe kënaqet duke lexuar për të, këtu kemi të bëjmë me interes aktiv.
Përmbajtja, gjërësia, qëndrueshmëria dhe forca e interesave lidhen ngushtë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën.



Aftësia dhe prirjet



Po të vërejmë në përgjithësi njerëzit në veprimtarinë e tyre jetësore, do të shohim se ata kanë ritme të ndryshme zhvillimi për nga njohuritë dhe rezultatet në punë. Kjo ndodh sepse ata kanë aftësi të ndryshme për një lëm të caktuar veprimtarie.
Aftësi quajmë atë kompleks vetish psikike të personalitetit, që shërben si kusht për të kryer me sukses një punë.
P.sh. për t'u marrë me artet figurative duhet të kesh aftësi për të kapur me sy përpjestimet e objekteve, raportet ndërmjet përmasave të tyre etj. Por kjo cilësi e të parit nuk përbën aftësi nëse e shkëpusim nga aftësitë e përgjithshme të organizmit. Pra, për të patur sukses në një lëm të caktuar veprimtarie është e nevojshme që aftësitë e veçanta të gërshetohen e të lidhen ngushtë me aftësitë e përgjithshme.
Aftësi të përgjithshme quajmë ato që gjejnë zbatim në lëme të ndryshme të veprimtarisë së njeriut. Aftësi të tilla janë p.sh. cilësitë e mëndjes, kujtesa etj.
Baza dhe pikënisja për zhvillimin e aftësive janë dispozitat, veçoritë anatomo-fiziologjike të lindura të njeriut. Dispozitat janë një nga kushtet e domosdoshme për zhvillimin e aftësive, por nuk janë kushti i vetëm. Që dispozitat të kthehen në aftësi duhet që njeriu të rritet në kushte që favorizojnë përvetësimin e njohurive dhe zhvillimin e tij të gjithanshëm, përndryshe dispozitat mbeten vetëm një mundësi ose atrofizohen.
Dispozitat janë një kusht paraprak material për zhvillimin e aftësive, kurse aftësia është mundësia e lindur gjatë punës për ta kryer me sukses një punë. Zhvillimi i aftësive kushtëzohet nga përvetësimi i njohurive, shkathtësive dhe shprehive, të cilat kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin e personalitetit.
Kur vëmë re që një njeri merret më shumë me një veprimtari të caktuar, themi se ai ka prirje për këtë lloj veprimtarie. Dhe kjo kushtëzohet nga aftësitë dhe sukseset që ka ai në atë drejtim, të cilat e nxisin më tej për t'u marrë me të dhe e stimulojnë edhe më shumë atë prirje. Por edhe prirjet krijojnë kushte për zhvillimin e aftësive. Prirjet dhe aftësitë kushtëzojnë zhvillimin e njëra-tjetrës, por ndërmjet tyre nuk mund të vëmë shenjë barazie, sepse ndërsa aftësitë janë një kompleks vetish të personalitetit, prirjet shfaqen në formën e nevojës që ndjen njeriu për t'u marrë me një veprimtari të caktuar. Kur tek një njeriu vëmë re një prirje të fortë dhe të qëndrueshme për t'u marrë me një lloj veprimtarie, kjo do të thotë që tek ky njeri ndodhen edhe aftësitë që i përgjigjen kërkesave të kësaj veprimtarie. Por ka edhe raste kur mungojnë aftësitë dhe njeriu priret për t'u marrë me një lloj veprimtarie, duke qënë i shtyrë nga të tjerët ose duke pasur një përshtypje lajthitëse për aftësinë e tij.



Talenti dhe gjenia



Talent quajmë një ndërthurje aftësish të ndryshme, që sigurojnë kryerjen në mënyrë krijuese të një veprimtarie të caktuar.
Talentet në disa fusha të veprimtarisë së njeriut shfaqen që në moshën fëminore. Nuk janë të rralla shfaqet qysh herët të talenteve në matematikë, letërsi, art dhe fusha të tjera. Por shfaqia e talentit herët nuk është gjithçka, pasi vetëm talenti i marrë në veçanti, është vetëm mundësia për të kryer një punë në mënyrë krijuese. Zhvillimi i tij përcaktohet nga aftësia e njeriut për të punuar në mënyrë këmbëngulëse dhe për të shtruar para vetes detyra, zgjidhja e të cilave ka një vlerë të madhe për shoqërinë. Kur njeriu arrin të realizojë me veprimtarinë e tij krijuese vepra që sjellin ndryshime rrënjësore në mendimet ose veprimet e njerëzve dhe në historinë e njerëzimit, atëherë kemi të bëjmë me shfaqen më të lartë të talentit. Këtë shfaqe të talentit e quajmë gjeni.
Gjeniu dallohet për aftësitë e mëdha për të vëzhguar dhe për të bërë dallimin e asaj që është thelbësore nga diçka e dorës së dytë, për aftësitë për të abstraguar dhe përgjithësuar, për gjërësinë dhe thellësinë e të menduarit, për njohuritë e gjëra dhe aftësinë për t'i vënë ato në lëvizje gjatë të menduarit. Gjeniu dallohet gjithashu për forcën e vullnetit në kapërcimin e pengesave, për aftësinë e madhe për punë dhe për ndjenjën e thellë të përgjegjësisë ndaj bashkëkohësve dhe pasardhësve.



Temperamenti



Një nga veçoritë që bie më tepër në sy dhe që e dallon një njeri nga njerëzit e tjerë, është temperamenti. Po t'i vërejmë njerëzit me kujdes, do të shohim se disa prej tyre i shfaqin ndjenjat në mënyrë të vrullshme, kurse ka të tjerë, ndjenjat e të cilëve nuk janë të forta. Ka disa që kundërveprojnë shpejt ndaj ngjarjeve dhe ndryshimeve që ndodhin, që i kalojnë pa shumë dhembje disfatat dhe fatkeqësitë, ka të tjerë që janë të qëndrueshëm dhe të ngadalshëm përsa i përket ndërrimit të gjëndjeve shpirtërore. Ka njerëz që janë të qetë e të ekuilibruar, ka të tjerë që janë të rrëmbyeshëm dhe të paekuilibruar. Ndeshen në jetë edhe të atillë që janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj çdo ndikimi që ushtrohet mbi ta, por që nuk i shfaqin së jashtmi ndjenjat e tyre.
Të gjitha këto ndryshime, që vihen re në njerëz të ndryshëm, përsa i përket forcës dhe ritmit të përgjithshëm të veprimtarisë dhe të ndjenjave, i përkasin temperamentit.
Temperament quajmë tërësinë e karakteristikave individuale, psikologjike, që shfaqen në shpejtësinë dhe forcën e proceseve psikike në përgjithësi dhe të ndjenjave në veçanti dhe me një shkallë të caktuar të nxitjes dhe të qëndrueshmërisë së tyre.



a) Bazat fiziologjike të temperamentit

Gjatë studimit të veprimtarisë së lartë nervore është arritur në përfundimin se vetitë themelore që përcaktojnë tipin e veprimtarisë së lartë nervore janë forca, ekuilibri dhe lëvisshmëria e nxitjes dhe frenimit. Forca e këtyre proceseve tregon aftësinë për punë të qelizës nervore dhe sistemit nervor në tërësi. Ekuilibri tregon vendin që zë nxitja dhe frenimi në veprimtarinë nervore, kurse lëvisshmëria tregon shpejtësinë me të cilën zëvendësohet njëri proces me tjetrin.
Këto karakteristika të nxitjes dhe frenimit në njerëz të ndryshëm ndodhen të kombinuara në mënyrë të ndryshme dhe është plotësisht ky kombinim i ndryshëm i tyre që na jep katër tipe të veprimtarisë së lartë nervore, të cilat përbëjnë bazën fiziologjike të katër llojeve të temperamentit.
1) Tipi i fortë, i ekuilibruar, i shpejtë = temperament sanguin.
2) Tipi i fortë, i ekuilibruar, i ngadalshëm = tmperament flegmatik.
3) Tipi i fortë, i paekuilibruar = temperament kolerik.
4) Tipi i dobët = temperament melankolik.

Tipi i katërt i temperamentit (melankolik) e ka të dobët si procesin e nxitjes ashtu edhe atë të frenimit.

b) Karakteristika e temperamenteve




Temperamenti sanguin. Njeriu me temperament sanguin dallohet për shkathtësinë dhe gjallërinë e tij. Të ecurit e ka të shpejtë, lëvizjet në përgjithësi i ka të shumta dhe të shkathëta, të folurit e ka të gjallë dhe të shpejtë, sy të gjallë, mimikë të pasur, që shpreh gjendjen e tij të brendshme. Nxitet shpejt, kundërvepron edhe ndaj ngjarjeve që kanë rëndësi të vogël. Ndjenjat e tij lindin shpejt, nuk janë të forta, i ndryshojnë shpejt dhe i shfaq së jashtmi me anën e mimikës dhe gjesteve të ndryshme.
Zakonisht njeriu me temperament sanguin e kryen me vrull një punë, por në mjaft raste me gabime. Zë shumë miq, por ftohet shpejt prej tyre dhe i lë. Merr përsipër çdo lloj pune, por shpejt mërzitet dhe nuk e çon deri në fund. Me një fjalë, njeriu që ka këtë temperament është i shoqërueshëm, zemërmirë, i zoti për punë, por i mungon këmbëngulja dhe durimi. Meqënëse është i gjallë dhe i lëvizshëm, i ngacmon shumë shokët dhe i pëlqen të merret me sport.
Temperamenti kolerik. Njeriu me temperament kolerik dallohet për lëvizjet dhe për të folurit e tij të gjallë dhe energjik. Gjestet i ka të forta dhe të prera, ndërsa, sytë e tij kanë shikim të mprehtë.
Nxitet shpejt, ndjenjat i lindin shpejt, i ka të forta dhe i shfaq së jashtmi. Zakonisht njeriu me temperament kolerik çdo gjë e bën me vrull dhe me pasion. Në kundërshtim me sanguinin, është këmbëngulës dhe ka durim. Flet shpejt e me zjarr, prandaj fjala e tij është bindëse.
Temperamenti flegmatik. Njeriu me temperament flegmatik bie menjëherë në sy. Ai është i qetë, bën lëvizje të pakta dhe të ngadalta. Shikimi i tij është i qetë dhe të folurit e ka të ngadaltë. Si nxitja ashtu edhe frenimi lindin tek ai me vështirësi. Vetëm ngjarjet shumë të forta i shkaktojnë ndjenja, të cilat cilat zakonisht i ka të dobta dhe nuk i shfaq së jashtmi. Në kundërshtim me sanguinin, çdo punë e bën me ngadalë. Është i urtë dhe nuk i ngacmon të tjerët.
Temperamenti melankolik. Njeriu me temperament melankolik dallohet për pamjen e tij si të përvuajtur. Mimika e tij është e dobët, gjestet i ka të pakta dhe të lehta, shikimin e syve e ka të lehtë dhe si të mekur. Njeriu me këtë temperament bie në sy, sepse rri gjithmonë mënjanë dhe i veçuar nga të tjerët. Preket shpejt, ndjenjat i ka të forta, të qëndrueshme, por nuk i shfaq së jashtmi.
Në kundërshtim me kolerikun, i cili kërkon të verë në dukje personalitetin e tij, melankoliku përkundrazi, kërkon të jetë i padukshëm. Është i turpshëm dhe shpesh i paguximshëm.
Këto janë karakteristikat në përgjithësi të temperamentit. Në jetë rrallë gjenden njerëz që të kenë vetëm karakteristikat e njërit nga temperamentet e analizuara më sipër. Shpesh ne gjejmë tek ata të përziera karakteristikat e njërit lloj me karakteristikat e llojeve të tjera.

Karakteri

Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri jo vetëm për nga aftësitë, interesat dhe temperamentet, por edhe përsa i përket qëndrimit që ata mbajnë ndaj punës, shoqërisë, ngjarjeve të ndryshme dhe vetës së tyre.
Këto qëndrime që ata mbajnë të ndërthurura edhe me njëra-tjetrën lindin forma sjelljesh të caktuara që u përgjigjen përmbajtjes së këtyre qëndrimeve.
Kur qëndrimet dhe format përkatëse të sjelljes së njerëzve nuk janë të rastësishme, por janë të qëndrueshme, ato kthehen në veçori dalluese të personalitetit duke formuar karakterin e tyre.
Kur pohojmë se një njeri i caktuar është me karakter apo ka karakter, kemi parasysh jo një veti të mirë apo të keqe të tij, por tërësinë e vetive më të qëndrueshme të tij si anëtar i shoqërisë.
Karakter quajmë tërësinë e vetive themelore të personalitetit, që shprehin sistemin e qëndrimeve të njeriut ndaj punës, shoqërisë, njerëzve të tjerë dhe vetvetes.
Karakteri, sikurse edhe veçoritë e tjera të personalitetit, nuk është i lindur dhe i pandryshueshëm. P.sh. ndodh që fëmijët kanë tipare karakteri të njëjta me ato të prindërve dhe të të afërmve të tyre, por kjo nuk do të thotë se këto tipare të tyre janë trashëguar nga prindërit. Karakteri formohet gjatë jetës dhe shpreh rrugën e jetës, rrethanat, kushtet dhe mënyrën e jetës së njeriut.
Njeriu nuk lind as përtac, as egoist, as mëndjemadh, as karrierist etj. Ai bëhet i tillë si rezultat i ndikimeve që ushtrojnë mbi të shkolla, familja, shoqëria ose të gjitha këto të mara sëbashku, sepse njeriu nuk është qenie aktive që u kundërvihet kushteve dhe rrethanave, por është qenie aktive që u kundërvihet kushteve të disfavorshme dhe i shndërron këto kushte. Pra ai është edhe objekt edhe subjekt i këtij edukimi. Karakteri ka lidhje të ngushtë me të gjitha anët e tjera të personalitetit, me bindjet, interesat, aftësitë dhe temperamentin. Gjithashtu lidhje të ngushta ekzistojnë ndërmjet aftësive dhe karakterit të cilat ndikojnë edhe reciprokisht për zhvillimin ndërmjet tyre.
Po kaq të ngushta janë lidhjet e karakterit edhe me temperamentin. Temperamenti ushtron ndikim në formën e shfaqes së disa tipareve të karakterit, por edhe karakteri ushtron një ndikim të thellë në frenimin e disa anëve negative të temperamenteve.
Temperamenti shërben si një bazë natyrore për formimin e tipareve të karakterit, por ai nuk përcakton përmbajtjen e tipareve të tij. Në bazë të çdo lloj temperamenti mund të edukojmë tiparet më të vlefshme të karakterit.
Lidhjet e karakterit me temperamentin duhen njohur, sepse nga veçoritë që ka secili temperament të cilat kushtëzohen nga tipi i veprimtarisë së lartë nervore, varet se si do të formohen tek një njeri tiparet e karakterit të tij. I njëjti tipar mund të formohet si tek koleriku ashtu edhe tek sanguini, por forma e ndikimit duhet të jetë e ndryshme.
Sikurse të gjitha fenomenet e tjera psikike, edhe karakteri ka bazën e vet psikologjike. Bazën fiziologjike të karakterit e përbëjnë sistemet e ndërlikuara të përkohshme nervore që formohen gjatë jetës së njeriut. Lehtësia apo vështirësia gjatë formimit dhe shformimit të sistemeve, që përbëjnë lidhjet e përkohshme nervore, ndikojnë thellësisht në formimin e tipareve të karakterit dhe në qëndrueshmërinë e tyre. Në jetë vihen re këto tipe karakteresh : Karaktere të forta dhe të dobëta, kontradiktorë dhe jokontradiktor, të përcaktuar dhe të papërcaktuar.

1 σχόλιο:

  1. Faleminderit për atë që bëre për mua { Dr. Ellen}! Burri im ndaloi së plotësuari dokumentet e divorcit pasi të kontaktova që të më ndihmoje të ndaloja divorcin me burrin tim dhe tani gjërat po shkojnë shumë më mirë. Siç the i gjithë procesi i divorcit është anuluar dhe gruaja e keqe që po shkakton problemin në martesën time ka lënë burrin tim dhe tani jemi të lumtur së bashku. Nëse po e shihni këtë dëshmi dhe keni probleme në marrëdhënien tuaj, martesën ose ndonjë problem tjetër. , ju mund të kontaktoni atë me email:( ellenspellcaster@gmail.com ) ose WhatsApp saj ( + 2349074881619 ).

    Ai specializohet në magjitë e mëposhtme:

    * Duajini Spells
    * Flet martesa
    * MAGIKI I PARË
    * Folje të mira
    * Foljet e shëndetit
    * Spells Seksual ATTRACTION
    * MAGIKA E KRYESORE
    * Kazino Cave
    * Merrni masat e mallrave
    * Foljet e mbrojtjes
    * Lottery magji
    * Flet LUKKY
    * Folje të mirë

    ΑπάντησηΔιαγραφή