Kapitulli 10
VULLNETI
Njohuri elementare mbi veprimin e vullnetshëm
Njeriu dallohet nga krijesat e tjera të gjalla pasi ai është një qënie aktive shoqërore..Ai nuk përshtatet me kushtet e ambjentit në mënyrë pasive, por lufton për ta ndryshuar atë dhe për të krijuar një ambjent të ri sipas kërkesave dhe nevojave të tij. Nga pikëpamja psikologjike, këtë ai e realizon me anë të vullnetit.
Veprimtarinë e tij njeriu e kryen në bazë të lëvizjeve të ndryshme, të cilat i ndajmë në dy lloje:
1) Në lëvizje të pavullnetshme, të cilat janë të lindura bashkë me njeriun dhe që kryhen në mënyrë të pavetëdijshme. Si bazë e këtyre lëvizjeve janë reflekset e pakushtëzuara, si të kolliturit, mbyllja e qepallave të syve, mbyllja e syve nga një dritë e fortë, të hequrit e dorës nga një objekt i nxehtë etj. Në këto veprime nuk parashikohet qëllimi i veprimit. Ato shfaqen në mënyrë impulsive dhe automatike.
2) Në lëvizje të vullnetshme, që karakterizohen nga këto cilësi: së pari ato janë gjithnjë të vetëdijshme dhe drejtohen në një qëllim të caktuar; së dyti ato janë aftësi që njeriu i fiton në procesin e të mësuarit dhe të ushtruarit.
Veprimet e vullnetshme nuk janë vetëm ato që shprehen me lëvizje të dukshme. Këto mund të jenë edhe veprime mendore si, p.sh. të vëzhguarit e një fenomeni, të lexuarit, përllogaritja e një sipërfaqeje, zgjidhja e ndonjë problemi etj.
Disa veprime të vullnetshme janë të thjeshta ndërsa disa të tjera të ndërlikuara dhe kërkojnë më tepër angazhim e përpjekje për të mënjanuar vështirësitë apo pengesat që mund të pengojnë arritjen e qëllimit.
Puna është një veprimtari e vullnetshme, në të shfaqet qartë vullneti i njeriut. Ajo gjithnjë lidhet me veprimet e qëllimshme, me njohjen e qëllimit dhe rezultatet e saja.
Në procesin e punës fizike dhe mendore njeriut i duhet të mobilizohet dhe të punojë me tension. Ka raste kur atij i duket se nuk ka më forcë për të punuar më gjatë, por, megjithatë, nën ndikimin e ndjenjës së detyrës dhe bindjeve morale mobilizon të gjitha forcat e veta dhe vazhdon përsëri të punojë.
Pra, vullneti shfaqet kur njeriu has pengesa dhe vështirësi, të cilat njeriu i kapërcen. Pengesat dhe vështirësitë mund të jenë të llojeve të ndryshme si të brendshme ashtu edhe të jashtme, sa objektive aq edhe subjektive. Vullneti lidhet ngushtë me të menduarit, me të folurit, me ndjenjat etj. Me anën e të menduarit njeriu përcakton qëllimin dhe gjen mjetet për arritjen e tij. Para se të fillojë një punë, njeriu mendon se si ta bëjë atë, pse duhet vepruar ashtu, cilat duhet të jenë pasojat e veprimit, çfarë vështirësish mund t'i paraqiten dhe si duhet t'i kapërcejë ato. Pra vullnet është procesi i veprimtarisë së vetëdijshme të njeriut, që karakterizohet nga aftësia për të kapërcyer pengesa dhe vështirësi që dalin në arritjen e qëllimit.
Vullnet formohet gjatë vetë procesit të jetës së njeriut, duke përvetësuar përvojën e brezave të kaluar dhe duke e përsëritur në kushte të ngjashme ose të reja. Vullneti përcaktohet dhe ndryshon në varësi të kushteve historike, marrëdhënieve shoqërore, kushtve të jetesës, botkuptimi, bindjeve etj.
Analiza e veprimeve të vullnetshme
Veprimet e vullnetshme janë të ndërlikuara dhe kalojnë nëpërmjet disa fazave. Këto faza të veprimit të vullnetshëm janë: 1) Faza pregatitore; 2) përcaktimi i qëllimit dhe mjeteve; 3) marrja e vendimit dhe; 4) zbatimi i vendimit. Për të marrë një vendim, njerëzit duhet t'i kenë të qarta nevojat e tyre, të jenë të vetëdijshëm për qëllimet dhe motivet e tyre. Ndodh që njeriu nuk është plotësisht i qartë dhe i vetëdijshëm për nevojat e veta. Një gjëndje të tillë shpirtërore e quajmë joshje ose tërheqje, d.m.th. ne na tërheq diçka, por nuk e ndjejmë me forcë.
Gjatë veprimtarisë sonë, tek ne mund të ketë lindur dëshira për diçka. Dëshira është një shkallë më e lartë se joshja. Këtu qëllimi i pikësynimit është i qartë, por mjetet për realizimin e qëllimeve ende nuk janë të qarta. Njeriu mund të ketë shumë dëshira, mirëpo jo të gjitha realizohen. Dëshirat e realizueshme sjellin nevojën për të gjetur mjetet dhe rrugët për realizimin e tyre. Kështu kalohet nga dëshira në dashje. Në dashje kemi të qartë edhe qëllimin edhe rrugët apo mjetet për realizimin e tij.
Njeriu në kohë të caktuar, ndodhet përpar nxitjeve të ndryshme. Tek ai lindin dëshira dhe dashje të shumta, të cilat shpesh janë të kundërta. Njeriu vihet në një pozitë të tillë, në të cilën duhet të zgjedhë. Pikërisht këtë në psikologji e quajmë luftë motivesh.
Tek njerëzit me vullnet të fortë, në luftën e motiveve fiton më e arsyeshmja, nga e cila ai udhëhiqet në jetë. Pra, gjatë luftës së motiveve njeriu qartëson qëllimin dhe mjetet që do të përdorë për arritjen e tij.
Marrja e vendimi. Pasi të kemi të qartë qëllimin dhe mjetet, kalojmë në marrjen e vendimit, i cili duhet të jetë fryt i një analize të ndërgjegjshme dhe serioze.
Marrja e vendimit përcaktohet nga një seri shkaqesh: nga nevojat, nga situata, nga ndjenjat, nga shkalla e zhvillimit mendor, nga karakteri dhe temperamenti i njeriut, nga ndikimi i të tjerëve nëpërmjet këshillave, propozimeve ose urdhërave.
Njerëzit gjatë jetës mund të marrin vendime të shumta dhe të bukura, por mund të mos bëjnë asgjë për realizimin e tyre. Pra, më i rëndësishëm është zbatimi i vendimit.
Zbatimi i vendimit. Kjo është faza më e rëndësishme në veprimet e vullnetshme. Në këtë fazë shprehet qartë vullneti injeriut. Zbatimi ivendimit në kohën e caktuar ka të bëjë me cilësitë pozitive të vullnetit. Çdo vendim zbatohet me përpjekje të vetëdijshme. Përfundimi me sukses i veprimit realizohet duke mobilizuar vazhdimisht përpjekjet e vullnetshme. Zbtim i vendimit do të thotë ballafaqim praktik real i mundësive të vetes me realitetin dhe kjo duke u mbështetur në mjetet e ndryshme që zotëron njeriu.
Me ndihmën e përpjekjeve të vullnetshme vihet n
aktivitet edhe veprimtaria mendore e njeriut. Në zbatimin e vendimit duket aftësia e vullnetit të njeriut për të udhëhequr vetëveten, për të drejtuar në mënyrë të vetëdijshme sjelljen dhe veprimtarinë e tij ose ndryshe i themi vetëkontroll. Në sajë të një vullneti të fortë e të vendosur, njeriu shndërron natyrë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tij, Krahas kësaj, ai disiplinon dhe revolucionarizon edhe veten dhe sjelljet e tij.
Në fund të zbatimit të vendimit, me anën e të menduarit bëjmë edhe vlersimin e rezultateve.
Shprehitë dhe zakonet
Shprehitë nuk lindin bashkë me njeriun; ato fitohen gjatë jetës. Në jetën e përditshme përsërisim shpesh të njejtin veprim të vullnetshëm. Disa nga këto veprime janë përbërëse të vazhdueshme dhe fizike të aktivitetit. Kështu p.sh. hapim derën, ngjitim shkallët, vishemi, shkruajmë, lexojmë, llogarisim etj.
Nga përvoja e mëparshme dimë që veprimet e përsëritura zbatohen më lehtë dhe më shpejt. Në fillim, kur përvetësojmë një model të ri veprimi, punët kryhen më me vështirësi, kërkohet përqëndrim, i vëmendjes dhe përpjekje të mëdha. Këto më mirë i vëmë re tek fëmijët e vegjël, kur ata mësojnë të flasin, të ecin apo të bëjnë ndonjë gjë tjetër. Por më vonë ata fillojnë t'i kryejnë me lehtësi këto veprime.
Kështu njeriu i rritur nuk bën ndonjë përpjekje të veçantë që të ecë, të shkruajë, të përllogarisë etj. Kjo ndodh sepse veprimet janë fiksuar dhe forcuar d.m.th. janë automatizuar. Dhe është e mjaftueshme vetëm të synojmë t'i bëjmë dhe ato kryhen në mënyrë automatike. Në këtë rast themi se këto veprime u kthyen në shprehi. Pra, shprehi quajmë komponentët e automatizuar të një veprimtarie të vetëdijshme, që formohet si rrjedhim i ushtrimeve të vazhdueshme që bën njeriu në atë veprimtari.
Automatizimi i disa veprimeve arrihet nëpërmjet të ushtruarit dhe shprehet në kryerjen me lehtësi dhe shpejt të veprimeve. Nga ana fiziologjike shprehitë kanë si bazë reflekset e kushtëzuara, që janë organizuar në një sistem ose steriotip dinamik. Në këtë sistem është e mjaftueshme të nxitësh refleksin e parë, që pastaj të vihen në lëvizje të gjitha ato reflekse, që bëjnë pjesë në këtë steriotip.
Shprehitë kanë rëndësi gjatë veprimtarisë së njeriut. Kështu p.sh. kur ecim në rrugë dhe gjatë kësaj kohe diskutojmë, shikojmë rreth e përqark, mendohemi për çështje të ndryshme, Në këtë rast jemi të përqëndruar në diskutim dhe nuk preokupohemi në mënyrë të veçantë për ecjen tonë, sepse ecja është bërë shprehi. Shprehitë nuk e zvogëlojnë asnjëherë veprimtarinë. Përkundrazi ato si komponentë të automatizuar të veprimtarisë e lehtësojnë kryerjen e saj.
Për formimin e shprehive luajnë rol edhe njohuritë. Vazhdimisht ne mësojmë dhe kështu fitojmë shprehi të reja. Në veprimtarinë tonë shprehitë përpunohen në bazë të disa njohurive. Njohuritë e paqarta mbi veprimtarinë që do të kryhet kanë një ndikim negativ mbi shprehitë që formohen. Por kuptohet, asnjë njohje e përsosur e veprimit që do të kryhet, nuk mjafton për të formuar shprehinë konkrete. Përveç kësaj, kërkohet edhe të ushtruarit për formimin e saj. Ushtrimi nuk reduktohet në një përsëritje të thjeshtë të veprimeve.
Ai duhet të krijojë mundësinë e një perfeksionimi të vazhdueshëm të veprimit dhe një bahkërendim të lëvizjeve që e përbëjnë. Për këtë duhet vëmedje në lidhje me përcaktimin e vështirësive dhe mënjanimin e tyre. Gjatë ushtrimit zbulojmë procese, që japin rezultate të mira dhe këto ruhen, regjistrohen, përvetësohen, duke fituar kështu shprehi të reja. Në procesin e ushtrimit arrijmë të mënjanojmë lëvizjet e padobishme dhe të pakësojmë përpjekjet. Kështu, veprimi fillon të kryhet pa vështirësi, më shpejt dhe në mënyrë më ekonomike dhe produktive.
Njeriu gjatë jetës, krahas shprehive, fiton edhe zakone. Zakonet, ashtu si edhe shprehitë, janë elemente të automatizuara të sjelljes. Mirëpo kanë edhe ndryshime. Shprehia është zotësia për të kryer në mënyrë të automatizuar, pa një farë kontrolli special të vetëdijes, këto ose ato komponentë, kurse zakoni është prirja ose nevoja për të kryer këto apo ato akte të automatizuara. P.sh. shprehia e të larit të duarve është zotësia për të kryer këtë proces me shkathtësi dhe në mënyrë auromatike. Zakoni i të larit të duarve, para dhe pas ngrënies së bukës, është nevoja për ta kryer këtë akt në një kohë dhe situatë të caktuar. Moskryerja e këtij akti i sjell njeriut një farë shqetësimi.
Një ndryshim tjetër nd
rmjet shprehive dhe zakoneve është se shprehitë janë gjithmonë të dobishme, sepse formohen me anën e ushtrimeve të bëra me qëllim, kurse zakonet mund të jenë të dobishme dhe të dëmshme.
Zakonet formohen si rezultat i përsëritjeve të thjeshta e të njëpasnjëshme dhe që kërkojnë një farë kohe. E rëndësishme është që të formojmë zakone pozitive dhe të luftojmë qysh në fillim kundër zakoneve negative.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου