Δευτέρα 13 Σεπτεμβρίου 2010

Kapitulli 8

TË MENDUARIT DHE TË FOLURIT



Njohuri të përgjithshme mbi të menduarit




Ndijimet dhe perceptimet na japin mundësinë për të pasqyruar në vetëdije cilësi të veçanta të sendeve dhe fenomeneve dhe për të formuar figura të plota të tyre. Por procesi i njohjes së botës që na rrethon nuk përfundon me kaq.
Për ta pasqyruar botën që na rrethon më thellë, është e domosdoshme që të zbulojmë thelbin e sendeve dhe shkaqeve të vërteta të fenomeneve dhe lidhjet ndërmjet tyre.
Procesi i të menduarit lidhet ngushtë me procesin e ndijimit, perceptimit, kujtesës dhe imagjinatës. Por, pavarësisht nga lidhjet e ngushta me to, të menduarit nuk mund të identifikohet me asnjërën prej tyre të marrë në veçanti, e as me të gjitha të marra sëbashku. Të menduarit është një proces psikik, që çon në njohuri të reja, në përgjithësime, në zbulimin e ligjeve që përcaktojnë fenomeneve në natyrë ose në shoqërinë njerzore.
Për të zbuluar ligjet, njeriun e shtyjnë nevojat e praktikës. Duke njohur ligjet njeriu është në gjëndje të parashikojë ngjarjet dhe fenomenet dhe t'i shfrytëzojë ato për nevojat vetiake.
Kështu p.sh. perceptimi i drejtpërdrejtë i dy sendeve me ngarkesa të kundërta elektrike, që tërheqin njëri-tjetrin, nuk zbulon thelbin e këtij fenomeni, kurse të menduarit na zbulon shkakun e vërtetë të fenomenit dhe na mundëson ta shfrytëzojmë këtë për të prodhuar energji elektrike.
Praktika e ka detyruar njeriun të vërejë, të analizojë, të sintetizojë, të krahasojë dhe të përgjithësojë dhe të nxjerri përfundime. Si rezultat i përpjekjeve të pandërprera për të njohur botën më thellë, është arritur në zbulimin e ligjeve dhe në formimin e shkencave të ndryshme.
Zhvillimi i të menduarit te njeriu i veçantë varet nga përvetësimi i këtyre ligjeve dhe pikërisht këtu shfaqet kushtëzimi i zhvillimit të individit nga zhvillimi shoqëror. Pra, zhvillimi i të menduarit të individit përcaktohet përvetësimi i njohurive të përvojës shoqërore. Dhe më pas përvojën shoqërore ua japim brezave të rinj për tu shërbyer më to.
Por njohja e botës është një proces i pandërprerë, prandaj edhe të menduarit e individit nuk merr fund me përvetësimin e njohurive të gatshme, të zbuluara më parë. Individi i zotëron koto njohuri dhe i vë ato në lëvizje për të njohur më thellë botën dhe për të zgjidhur problemet që i dalin në praktikë dhe për t'i çuar ato më tej.
Duke u mbështetur në këto veçori që përmendë, të menduarit mund ta përcaktojmë si procesin psikik më të lartë njohës të personalitetit, proces që mbështetet nëzbulimin e lidhjeve dhe raporteve thelbësore që ekzistojnë ndërmjet sendeve dhe fenomeneve dhe që përfaqëson në vetvete një njohje të përgjithësuar të realitetit objektiv.



Të menduarit lidhet ngushtë me të folurit



Gjuha është mjet që u shërben njerëzve për të komunikuar, kurse të folurit është një formë e veçantë e komunikimit ndërmjet tyre që përdor gjuhën si mjet në procesin e komunikimit. Të folurit realizohet me ndihmën e mjeteve gjuhësore, por edhe gjuha ekziston realisht vetëm me ndihmën e të folurit.
Gjuha krijohet nga një popull, përvetësohet nga çdo individ dhe përbën bazën e të menduarit në mënyrë abstrakte.
Zhvillimi mendor i njeriut varet nga zhvillimi i të menduarit dhe të folurit. Por, ndërmjet të folurit dhe të menduarit nuk mun të vihen shënja barazie, sepse të mendosh do të thotë të njohësh botën, ndërsa të flasësh do të thotë të shkëmbesh mendime dhe të nxitësh bashkëbiseduesin për veprim.
Veç kësaj i njejti mendim mund të shprehet me fjalë të ndryshme dhe me konsrukte gramatikore të ndryshme.
Të menduarit lidhet ngushtë me të folurit, realizohet dhe formohet me ndihmën e të folurit. Sa herë që vihen re dëmtime të rënda të të folurit për shkak të hemorragjisë cerebrale, degradohet edhe të menduarit. Baza fiziologjike e të menduarit është veprimtaria e përbashkët e dy sistemeve të sinjaleve, por rolin kryesor e luan sistemi i sinjaleve të dyta (fjalët).

Veprimet mendore kryesore

Njohja e vetive dhe e cilësive të sendeve dhe fenomeneve dhe përcaktimi i lidhjeve dhe varësive ndërmjet tyre bëhet me ndihmën e analizës, sintezës, krahasimit, abstraksionit, përgjithësimit dhe konkretizimit.
1) Analiza dhe sinteza si edhe veprimet e tjera mendore lindin nga veprimtaria praktike. Para se të kthehen në veprime mendore ato janë veprime praktike. Me analizë kuptojmë ndarjen mendërisht të sendeve dhe fenomeneve në pjesët ose elementët përbërës, kurse me sintezë kuptojmë ribashkimin mendërisht të elementeve ose pjesëve përbërëse të sendeve dhe fenomeneve.
Analiza dhe sinteza lidhen ngushtë dhe nënkuptojnë njëra-tjetrën. Që të analizosh, do të nisesh nga një e tërë dhe që të sintetizosh duhet të nisesh nga pjesët përbërëse.
2) Krahasimi. Me krahasim kuptojmë, atë veprim mendor me ndihmën e të cilit objektet dhe fenomenet vihen mendërisht përballë njëri-tjetrit për të parë ngjashmërinë ose ndryshimet ndërmjet tyre. Krahasimi lidhet ngushtë me analizën dhe sintezën, është si të thuash një shfaqe e tyre dhe luan një rol të rëndësishëm në veprimtarinë mendore të njeriut. Nëpërmjet krahasimit njeriu arrin të bëjë dallimin dërmjet sendeve, objekteve apo fenomenev të ndryshme ose të gjejë të përbashktat e tyre nëpërmjet njohjes së cilësive të tyre.
3) Abstraksioni. Me abstraksion kuptojmë atë veprim mendor me ndihmën e të cilit veçojmë mendërisht një cilësi të shkëputur nga sendet dhe nga cilësitë e tjera që kanë ato.
Kështu p.sh. duke parë nj
grup fëmijësh vëmë re një cilësi të përbashkët; të gjithë ata janëguximtarë. Fill pas kësaj ne fillojmë të mendojmë për guximin shkëputur nga personi që e ka këtë cilësi. Në këtë rast ne kemi shkëputur këtë cilësi dhe e kemi bërë objekkt të menimit, si të thuash, jemi larguar nga konkretja dhe kemi kaluar në abstraksion.
4) Konkretizimi. Konkretizimi është ai veprim mendor me dihmën e të cilit cilësinë që ne e kemi shkëputur nga sendet dhe fenomenet dhe e kemi bërë objekt të studimit tonë, e shohim edhe në një send apo fenomen konkret.
Konkretizimi p.sh. gjen zbatim të gjërë në veprimtarinë mësimore të nxënësve. Sa herë që nxënësi flet për koncepte abstrakte, ose sa herë që mësuesi zbërthen një koncept abstrakt ata mbështeten në shembuj, e konkretizojnë atë.
5) Përgjithësimi. Përgjithësim quajmë atë veprim mendor me ndihmën e të cilit bashkojmë mendërisht sendet dhe fenomenet që kanë cilësi të qëndrueshme të përbashkëta.
Përgjithësimi i ka rrënjët në veprimtarinë praktike të njeriut. Përvoja shoqërore është ngulitur në koncepte dhe në kuptimin e fjalëve. Kështu p.sh. kur ne themi fjalën kafshë, me këtë shprehim një përmbajtje të caktuar, një kategori të caktuar qënish të gjalla, që dallohen nga njëra-tjetra dhe nga sendet e tjera. Ky lloj kategorizimi ka lindur si rezultat i krahasimit, analizës, sentezës që kanë bërë brezat e shkuar të njerëzimit gjatë përpjekjeve për të njohur më mirë botën dhe fenomenet që e shoqërojnë atë. Ato janë rezultat i përgjithësimit të përvojës kolektive.
6) Sistematizimi. Sistematizimi është një shkallë e lartë e analizës, sintezës, krahasimit, abstraksionit dhe përgjithësimit me ndihmën e të cilit sendet dhe fenomenet i grupojmë në grupe të mëdha ose të vogla në bazë të cilësive të qëndrueshme të përbashkëta.
Duke përdorur këto veprime, njerëzit kanë krijuar sistemet e ndryshme bimore, shtazore ose grupe të ndryshme mineralesh. Pra, pas përgjithësimeve janë sistemuar në grupe të ndryshme në bazë të cilësive që ato kanë.
Forma e të menduarit

Format e të menduarit logjik janë koncepti, gjykimi, arsyetimi.
1) Koncepti. Çdo send apo fenomen është në vetvete një tërësi vetish dhe cilësish thelbësore dhe jo thelbësore.
P.sh. për të formuar konceptin njeri, kafshë, bimë etj., është dashur që të njihen cilësitë thelbësore që i dallojnë ato nga qëniet e tjera të gjalla. Duke analizuar dhe sintetizuar, duke krahasuar dhe abstraktuar njeriu ka zbuluar me qindra veti të ngjashme e të përbashkëta mes tij dhe kafshëve, por dallimi mes tyre bëhet në shumë aspekte të tjera sidomos në llogjikë.
Koncepti është pasqyrimi në vetëdije i cilësive më thelbësore të sendeve dhe fenomeneve.
Zbulimi i cilësive më të qëndrueshme të sendeve dhe fenomeneve nuk është një punë kaq e lehtë. Për të formuar konceptet shkencore p.sh. konceptin metal, bimë, kafshë, shoqëri, klasë, shtet, planet etj, është dashur një punë e madhe analitiko-sintetike, krahasime të shumta, abstraktim nga cilësitë e paqënësishme dhe përqëndrim në cilësitë e qënësishme.
2) Gjykimi. Në konceptet ne pasqyrojmë cilësitë thelbësore të përbashkëta të sendeve dhe fenomeneve, kurse në gjykimet ne pasqyrojmë marrëdhëniet ndërmjet koncepteve. Gjykimi është një formë e të menduarit me ndihmën e të cilit pohojmë ose mohojmë diçka për një objekt apo një fenomen ose cilësi të tyre. Kështu p.sh. kur ne themi: Shqipëria është një vend i lirë, kemi pohuar diçka dhe kemi pohuar raportet që ekzistojnë ndërmjet konceptit Shqipëri dhe konceptit vend i lirë.
Përmbajtja e konceptit ngulitet në një fjalë të caktuar, kurse gjykimi shprehet me një fjali. Pjesët përbërëse të gjykimit janë: subjekti, predikati dhe këpuja. Në gjykimin që sollëm më lart, fjala Shqipëri është subjekt i gjykimit, është shërben si këpujë dhe vend i lirë shërben si predikat.
Meqënëse gjykimet mbi sendet dhe fenomenet kanë karakteristika të ndryshme, ato i ndajmë në pohuese dhe mohuese, në të veçanta, të pjesshme dhe të përgjithshme, në të vërteta dhe të gabuara.
Për të konkretizuar llojet e gjykimeve le të marrim disa shembuj:
Adreatiku lag brigjet e vendit tonë. (pohues).
Nuk vjen pranvera me një lule. (mohues).
Tirana është kryeqytet. (i veçantë).
Disa nga qytetet e Shqipërisë janë qytete bregdetare. (i pjesshëm)
Të gjithë studentët e morën provimin. (i përgjithshëm)
Dhe në varësi të faktit se sae vërtetë është ajo që pohohet ose mohohet, gjykimet mund të jenë të drejta ose të gabuara.
3) Arsyetimi. Gjatë të menduarit njeriu i përdor njohuritë e fituara për të zbuluar njohuri të reja. Për t'ia arritur këtij qëllimi ai niset nga disa gjykime dhe arrin në gjykime të reja, që zbulojnë një të vërtetë të re. Në këto raste njeriu përdor një formë tjetër të të menduarit, arsyetimin.
Me arsyetim kuptojmë atë formë të të menduarit me ndihmën e së cilës, duke u mbështetur në dy ose më shumë gjykime (premisa) formulojmë një gjykim të ri (konkluzion), që na zbulon një të vërtetë të re.
Arsyetimi bëhet në rrugë induktive dhe deduktive dhe është një formë më e ndërlikuar e të menduarit se sa koncepti dhe gjykimi.
Arsyetim në rrugë induktive kemi sa herë që ne nisemi nga gjykime të veçanta dhe arrijmë në një konkluzion të përgjithshëm, kurse arsyetim në rrugë deduktive kemi kur nisemi nga gjykime të përgjithshme dhe arrijmë në konkluzione të veçanta.

Llojet e të menduarit dhe cilësitë e tij



Veprimtaria mendore lind nga nevoja për të zgjodhur dhe situatat që shtrohen përpara njeriut. Këto situata e detyra njeriu gjatë zhvillimit të tij i ka zgjidhur praktikisht, përderisa mendimi teorik abstrakt nuk ishte shkëputur si veprimtari e pavarur nga mendimi praktik.
Të menduarit në këtë stad zhvillimi ishte i gërshetuar në vetë veprimtarinë praktike. Këtë lloj të menduari, që realizohet brenda veprimtarisë praktike, në një situatë konkrete të perceptueshme, e quajmë të menduar konkret. Ky lloj të menduari vërehet tek fëmijë, kur ata një detyrë mund ta zgjidhin praktikisht nëse ata e perceptojnë situatën konkretisht dhe nuk ia arrijnë ta zgjidhin, nëse nuk e kanë parasysh situatën konkrete.
Një lloj tjetër të menduari, që zhvillohet duke pasur për bazë përfytyrimet e kujtesës dhe të imagjinatës është të menduarit figurativ. Ky lloj të menduari kushtëzohet nga roli i madh, që luan në veprimtarinë mendore të njeriut sistemi i sinjaleve të para (ngacmuesit e jashtëm).
Lloji më kompleks i të menduarit është të menduarit abstrakt, i cili bazohet në konceptet. Të menduarit abstrakt lidhet ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm të njeriut, si dhe me përvetësimin nga ana e tij të sistemit të njohurive të përvojës njerëzore.
Ndër cilësitë më të vlefshme të të menduarit janë: karakteri kritik, elastik, dhe shpejtësia e të menduarit. Të gjitha këto lloje kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe edukimi i tyre tek njeriu kushtëzohet jo vetëm nga sasia e njohurive të përvetësuara, por edhe nga mënyra se si janë përvetësuar njohuritë. Njohurit e përvetësuara mekanikisht nuk zhvillojnë tek njeriu gjërësinë, shpejtësinë, elasticitetin dhe karakterin kritik të të menduarit të tij, por për kundrazi i japin të menduarit karakter të ngushtë. Vetëm njohuritë e zotëruara aktivisht edukojnë cilësitë pozitive të mendjes.
Cilësitë pozitive të mendjes kanë rëndësi shumë të madhe për veprimtarinë mendore në të gjitha fushat e veprimtarisë së njeriut. Prandaj tek njeriu duhet të edukohet ky lloj mendimi, në mënyrë që ai të jetë më produktiv dhe më i dobishëm për fushën në të cilën ushtron aktivitetin e tij.



Llojet e të folurit



Gjatë zhvillimit të njeriut, që nga fëmijëria e tij e në vazhdim, zhvillohen gradualisht lloje të ndryshme të të menduarit dhe të folurit. Llojet e të folurit janë: të folurit pasiv dhe aktiv, të folurit e jashtëm dhe të brendshëm.
Me të folur pasiv kuptojmë perceptimin e të folurit të një njeriu, ndërsa me të folur aktiv kuptojmë shprehjen e mendimeve me gojë apo me shkrim.
Nga të folurit me gojë dhe me shkrim dhe nga perceptimi i të folurit të të tjerëve lind të folurit e brendshëm. Të folurit e brendshëm është ai lloj të foluri që nuk shfaqet së jashtmi. Ky lloj të foluri shfaqet gjatë veprimtarisë mendore në heshtje, gjatë dramave dhe situatave të rënda që përjeton njeriu etj. Të folurit e brendshëm ndryshon nga llojet e tjeraz të të folurit jo vetëm nga shfaqia së jashtmi, por edhe nga struktura e tij fonetike dhe gramatikore. Ky lloj të foluri zakonisht është më i shkurtër se llojet e tjera të të folurit.
Të folurit e brendshëm ka një funksion shumë të madh gjatë të menduarit në heshtje, sepse impulset e fshehta që dërgon në tru aparati i të folurit krijojnë atje qëndra mbizotëruese që drejtojnë procesin e të menduarit, prandaj të folurit e brendshëm quhet mekanizmi fiziologjik i të menduarit.
Të folurit e jashtëm shfaqet në dy forma, në të folur me gojë dhe në atë me shkrim. Të folurit me gojë shtjellohet në situatën konkrete dhe mund të jetë monolog ose dialog. Situata konkrete e ndihmon shumë atë që flet për t'i komunikuar mendimet një tjetri dhe për ta nxitur atë për veprim. Ndryshe ndodh me të folurit me shkrim. Në të folurit me shkrim situata duhet përfytyruar, mendimet, që i adresohen një personi të caktuar, duhen dhënë qartë e në një formë sa më të kuptueshme. Llojet e ndryshme të folurit kanë një ndikim të thellë dhe e ndihmojnë zhvillimin e njëri-tjetrit.



Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου