Δευτέρα 13 Σεπτεμβρίου 2010



Kapitulli 5

VËMENDJA


Njohuri të përgjithshme mbi vëmendjen.

 Në çdo moment të dhënë, mbi ne veprojnë një numër sendesh dhe fenomenesh të ambjetit që na rrethon.
 Por, këto sende dhe fenomene nuk pasqyrohen të gjitha njëlloj në vetëdijen tonë. Disa sende shkaktojnëtek ne reaksione të gjalla orientuese. Ne përqëndrojmë shikimin tek ato, i provojmë duke i prekur, dëgjojmë tingujt e tyre dhe si rezultat këto sende përcaktohen në mënyrë të saktë dhe të qartë ana jonë. Ndërsa sendet e tjera nuk shkaktojë të tilla reaksione të gjalla orientuesse, nuk i nënshtrohen një studimi dhe analize të kujdesshme e për pasojë perceptohen në mënyrë të turbullt ose nuk perceptohen fare. Ndryshe mund të themi se ne drejtojmë vetëdijen në disa sende të cilat kanë rëndësi për ne dhe tregohemi të pavëmendshëm ndaj sendeve të tjera, të cilat në momentin e dhënë nuk kanë rëndësi për ne.
Pra, vëmendje quajmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijes sonë në një ose në disa objekte ose fenomene dhe të shkëputurit nga çdo gjë tjetër.
Në fillim vëmendja shkaktohet nga të shfaqurit e objektit të ri, nga rëndësia që ai ka për organizmin, nga ndryshimet e shumëllojshme të ambjentit që na rrethon ose faktorë të tjerë.
Kështu p.sh foshnja, nën ndikimi e një tingulli të fortë apo drite që ndizet në mënyrë të papritur, menjëherë kthen kokën, fikson vështrimin dhe zgjat dorën drejt saj. Por, nëse kjo do të vazhdojë të përsëritet atëherë nuk do të ketë më rëndësi për organizmin dhe nuk do të tërheqë vëmëndjen. Po kështu edhe një njeri i rritur, e ka të vështirë ta përqëndrojë vëmendjen e tij në një material të pavlerë apo në një fjalë monotone, pasi të qënit pa interes ose përsëritja e vazhdueshme bëjnë që të humbë interesi i organizmit për të.
Në qoftë se në etapat e zhvillimit të njeriut vëmendja mund të shkaktohet vetëm nga sendet e perceptuara drejtpërdrejt, në etapat e mëvonshme të zhvillimit ajo drejtohet në objekte që mund të përfytyrohen ose mund të merren me mend. Kështu p.sh fëmija sa më tepër rritet aq më shumë mund të bëjë abstraksion, të largojë vëmendjen nga kushtet në të cilat gjendet në momentin e dhënë dhe të përqëndrohet në një ngjarje të jetuar më parë ose të hyjë më në brendësi të problemeve dhe detyrave me karakter logjik dhe t'i zgjidhë ato.
Të gjitha këto zhvillohen gradualisht tek njeriu.
Vëmendja në ndryshim nga proceset e tjera psikike përbën një anë të të gjitha veprimtarive psikike të njeriut. Në çdo moment të dhënë njeriu percepton diçka ose imagjinon diçka. Por nuk ka një moment të tillë që ai të merret vetëm me procesin e vëmendjes. Vëmendja duke qenë vetëm një anë e psikikës luan një rol të madh gjatë perceptimit, të menduarit dhe veprimtarisë jetësore. Gjithashtu ajo luan një rol të rëndësishëm në njohjen e realitetit objektiv dhe në veprimtarinë praktike të njeriut.
Nga të gjithë ngacmuesit që veprojnë në një moment të caktuar mbi njeriun, perceptohen në mënyrë më të qartë dhe me të plotë dhe mbahen mend më më mirë ata që tërheqin vëmendjen e njeriut. Prandaj themi se vëmëndja është kusht i domosdoshëm për kryerjen me sukses të çdo lloj veprimtarie qoftç mendore apo fizike.

Bazat fiziologjike të vëmendjes.


Për të kuptuar bazat fiziologjike të vëmëndjes rol të rëndësishëm luan vatra me nxitshmëri optimale d.m.th. përqëndrimi i nxitjes nervore në disa seksione të caktuara të kores së trurit dhe frenimi i sektorëve të tjerë. Ky fenomen ngjet në sajë të induksionit reciprok. Vatra me nxitshmëri optimale, në një moment të caktuar, përbën sektorin më krijues të hemisferave të mëdha të trurit, në të cilat krijohen lehtë reflekse të reja të kushtëzuara dhe përpunohen me sukses diferencimet. Me këtë vatër lidhet puna më e kthjellët e vëmendjes.
Vatra me nxitshmëri optimale nuk qëndron vazhdimisht në një sektor të kores, por ajo lëviz nga njëri sektor në tjetrin.
Për të dhënë një kuptim më të plotë mbi mekanizmat fiziologjike të vëmendjes, një r
ndësi të madhe kanë dhe studimet shkencore mbi dominanten, vatrën me nxitshmëri të tillë që dominon të tjerat dhe mbisundon mbi to. Ndërsa vatra me nxitshmëri optimale është e lëvizshme, dominantja është e qëndruehme.
Vëmendja ka shprehjen e saj të jashtme dhe të brendshme. Shprehja e jashtme e vëmendjes në mimikën dhe lëvizjet, veçanërisht në shprehjen e syve, drejtimin e vështrimit etj. Ndërsa shprehja e brëndshme shfaqet në tensionin nervor dhe muskulor që shoqërohet me lodhjen mendore, fizike dhe me ndryshim në veprimtarinë e organeve të brendshme si pulsi, frymëmarrja etj.

Llojet e vëmendjes.

Duke pasur parasysh faktorët që e shkaktojnë vëmendjen, atë e ndajmë në dy lloje kryesore - në vëmendje të vullnetshme dhe të pavullnetshme.
Vëmendje të pavullnetshme quajmë të drejtuarit dhe të përqëndruarit e veprimtarisë sonë psikike në një objekt apo fenomen, pa i vënë vetes ndonjë qëllim të caktuar dhe pa bërë ndonjë përpjekje të veçantë.
Shkaqet e nxitjes së vëmendjes së pavullnetshm janë të ndryshëm për nga lloji dhe karakteristikat. Këto shkaqe mund ti ndajmë në dy kategori.
Në kategorinë e parë të shkaqeve bën pjesë karakteri i ngacmuesit të jashtëm. Këtu duhet përmendur para sëgjithash, forca dhe intesiteti i ngacmuesit. Çdo ngacmues i fortë: tingull i lartë, drita e fortë, goditjet e forta, në mënyrë të pavullnetshme tërheqin vëmendjen tonë.
Rol të rëndësishëm luan në këtë drejtim, jo vetëm forca absolute e ngacmuesit, por edhe ajo relative. Rëndësi të veçantë ka kontrasti ndërmjet ngacmuesve. Dihet se qetësia dhe zhurma, të folurit me zë të ulët dhe të lartë, errësira dhe drita janë kontraste që tërheqin vëmendjen. Ose p.sh. madhësia e një objekti apo veçantia e tij në krahësim me objektet e tjera që e rrethojnë e tërheq më shpejt vëmendjen. Ngacmuesit e rinj dhe ndryshimet e papritura të ngacmuesve janë shkaqe të rëndësishme për tërheqjen e vëmendjes. së pavullnetshme.
Në kategorinë e dytë të shkaqeve që tërheqin vëmendjen e pavullnetshme bën pjesë të përputhurit e ngacmuesit të jashtëm me gjëndjen e brëndshme të njeriut e para së gjithash me kërkesat e tij. Kur na ka marrë uria, të gjitha ngacmimet që na kujtojnë ushqimin, si biseda për të ngrënit, era e këndshme e gjellëve, etj, në mënyrë të pavullnetshme na tërheqin vëmendjen tonë. Ndërsa kur jemi të ngopur nuk ndodh një gjë e tillë.
Për tërheqien e vëmëndjes një rol të rëndësishëm luajnë interesat e njeriut. Interesante, është çdo gjë që lidhet ngushtë me aktivitetin jetësor të njeriut ose me detyrat e tij kryesore.
Baza fiziologjike e vëmendjes së pavullnetshme është refleksi orientues i quajtur "ç'është kjo?". Në rastet e vëmëndjes së pavullnetshme vatra me nxitshmëri optimale krijohet në sajë të refleksit orientues.
Vëmendja e vullnetshme është të drejtuarit dhe të përqëndruarit e vetëdijshëm të veprimtarisë psikike mbi një objekt apo fenomen me qëllim të caktuar dhe në mënyrë të planifikuar.
Vëmendja e vullnetshme është një kusht i domosdoshëm për kryerjen me sukses të çdo pune fizike ose mendore. Ajo na ndihmon të jemi më efektiv dhe të shpenzojmë më pak kohë dhe energji gjatë kryerjes së një aktiviteti mendor ose fizik.
Vëmendja e vullnetshme krijon mundësinë që ne të merremi jo vetëm me atë punë që na intereson, por edhe me atë që nuk paraqet interes të drejtpërdrejtë d.m.th. jo vetëm me atë që na "pëlqen" por edhe me atë që "duhet". Vëmendja e vullnetshme shfaqet jo vetëm në sforcimin e vullnetit, por edhe në tensionin e brendshëm nervor dhe psikik të organizmit dhe me një shpenzim të caktuar energjie fizike dhe mendore.
Sa më pak tërheqës dhe interesant të jetë fenomeni, sendi apo objekti, aq më tepër përpjekje kërkon për tu përqëndruar vëmendja mbi të, pra aq më e vullnetshme duhet të jetë vëmendja.
Vëmendja e vullnetshme dallohet dhe përcaktohet nga qëllimet dhe detyrat që vemë para vetes në veprimtarinë tonë, nga përgatitja paraprake dhe qëndrueshmëria e qëllimeve dhe motiveve tona.
Edhe vëmendja e vullnetshme lidhet ngusht me interesat e njeriut. Por, në qoftë se vëmendja e pavullnetshme shkaktohej nga interesat e drejtpërdrejta, vëmendja e pavullnetshme lidhet me interesat në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.
Të dyja llojet e vëmendjes janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre. Vëmendja e vullnetshme mund të shndërrohet në vëmendje të pavullnetshme dhe anasjelltas. P.sh ndodh që një lojë apo veprimtari e filluar me shumë interes e që tërheq vëmendjen në mënyrë të pavullnetshme të vështirësohet, bën që të bjerë interesi dhe për ta çuar deri në fund, kërkohet përpjekje e vullnetshme d.m.th. kalon tek vëmendja e vullnetshme.
Nga pikëpamja e fiziologjike vëmendja e vullnetshme lidhet me vatrat me nxitje optimale në koren e trurit, të cilat shkakton dhe përforcohen nga sinjalet ngacmuese "fjalë". Këto fjalë bëhen stimuli kryesor për të drejtuar vëmendjen mbi këtë apo atë objekt.

Veçoritë kryesore të vëmendjes
Veçoritë kryesore të vëmendjes janë: lëvisshmëria, përqëndrimi, vëllimi, shpërndarja, qëndrueshmëria, paqëndrueshmëria dhe hutesa.
1. Lëvisshmëria e vëmendjes është aftësia e vetëdijes për të kaluar me lehtësi nga një objekt në tjetrin ose nga një lloj veprimtarie në tjetrën.
Lëvisshmëria e vëmendjes është një veçori që zhvillohet dhe edukohet në veprimtarinë praktike të njeriut. Ajo mund të bëhet në mënyrë të vullnetshme ose të pavullnetshme. Kur bëhet në mënyrë të vullnetshme, me një qëllim të caktuar quhet zhvendosje e vëmendjes. Ndërsa kur bëhet pa ndonjë qëllim, quhet tërheqje e vëmendjes.
Zhvendosja e vëmendjes bëhet herë me lehtësi e herë me vështirësi, kjo varet nga fakti se sa intensive ka qënë ajo ndaj objekteve apo veprimtarisë së parë si dhe nga karakteri i objekteve apo veprimeve të reja ku ajo tani drejtohet.
Ashtu si veçoritë e tjera të vëmendjes edhe lëvisshmëria e saj mund të ushtrohet me anë të lojrave dhe ushtrimeve të ndryshme mendore në mënyrë që të fitohet aftësia e kontrollit dhe zhvendosjes në mënyrë të vullnetshme të saj.
Kjo kërkon aftësi për tu orjentuar dhe përshtatur më shpejt me kushtet ose rrethanat që ndryshojnë në mënyrë të papritur.
Baza fiziologjike e lëvisshmërisë së vëmendjes është zhvendosja e vatrës më nxitshmëri optimale nga një qëndër e kores së trurit në një qëndër tjetër të saj.
2. Përqëndrim të vëmendjes kemi atëhere, kur e drejtojmë atë në një objekt ose në një lloj veprimtarie. Përqëndrimi është fenomen i kundërt me shpërndarjen e vëmendjes dhe karakterizohet nga shkalla e drejtimit të saj në një objekt të caktuar dhe shkalla e shkëputjes nga objektet e tjera. E tillë është vëmendja p.sh. kur shkojmë perin në gjilpërë, kur zgjidhim një detyrë mendore, dëgjojmë një tregim interesant etj.
Të përqëndruarit e vëmendjes luan një rol të madh si në procesin e përvetësimit të njohurive ashtu dhe në kryerjen me sukses të detyrave apo veprimtarive të tjera jetësore. Aftësia e përqëndrimit të vëmendjes nuk është e lindur. Ajo mund të zhvillohet dhe edukohet në veprimtarinë e përditshme, veçanërisht gjatë proceseve mësimore.
Baza fiziologjike e përqëndrimit të vëmendjes së vullnetshme është vatra e nxitjes optimale në një nga sektorët e kores së trurit që shoqërohet nga një frenim i fuqishëm i sektorëve të tjerë aktiv.

3. Vëllimi i vëmendjes karakterizohet nga sasia e objekteve që mund të pasqyrohen shpejt, njëkohësisht dhe me qartësi të njejtë në vetëdijen tonë. Vëllimi i vëmendjes është një cilësi pozitive dhe ka një rëndësi të madhe për jetën e njeriut. Sipas vëllimit vëmendja mund të jetë e ngushtë ose e gjërë. Për të përcaktuar vëllimin e vëmendjes përdoret një aparat që quhet tahistoskop. Nga rezultatet e eksperimenteve është vërtetuar se njeriu i rritur mund të kapë me vëmendjen e tij brenda 1/20 fraksion të sekondës, mesatarisht 4-6 objekte njëkohësisht të cilët nuk kanë lidhje ndërmjet tyre, ndërsa fëmijët e moshës 6 vjeç mund të kapin 1-2. Dhe në qoftë se sendet kanë lidhje ndërmjet tyre ky numër rritet.
Baza fiziologjike e vëllimit të vëmendjes është të zgjeruarit ose të ngushtuarit e vatrave me nxitshmëri optimale në koren e trurit.

4. Shpërndarja e vëmendjes nënkupton një organizim të tillë të veprimtarisë psikike gjatë së cilës kryhen njëkohësisht dy ose më tepër veprime. Aftësia për ta shpërndarë vëmendjen luan një rol të madh në çdo lloj pune.
Shpërndarja e vëmendjes varet shumë nga shkalla e zotërimit të veprimeve të dhëna. Sa më shumë që ta njohim një veprim, sa më i zakonshëm që të jetë bërë ai, aq më lehtë e kemi që ta kryejmë atë njëkohësisht me veprime të tjera.

5. Qëndrueshmëria e vëmendjes është aftësia për ta ruajtur atë për një kohë të gjatë në një objekt ose fenomen të caktuar. Treguesi i qëndrueshmërisë së vëmendjes ështëkoha, gjatë së cilës bëhet pasqyrimi i sendeve apo i veprimtarive të ndryshme në vetëdijen tonë. Duhet pasur parasysh se me qëndrueshmëri të vëmendjes nuk do të kuptojmë vetëm drejtimin e saj të vazhdueshëm në po të njejtin objekt. Objektet e veprimtarisë mund të ndryshohen, ndërsa vëmendja drejtohet vazhdimisht mbi veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme. Për kryerjen e çdo pune kërkohet një kohë e caktuar. Prandaj, çdo njeri duhet të ketë vëmendje të qëndrueshme, sepse po nuk mundi ta përqëndrojë vëmendjen për një kohë të mjaftueshme mbi një pbjekt, ai nuk do të mundet as të luaj, as të mësojë e as të kryej ndonjë punë të dobishme.
Qëndrueshmëria e vëmendjes varet nga përmbajtja e punës ose karakteri i objektit. Në qoftë se puna ose objekti ku drejtohet vëmendja është me përmbajtje të pasur dhe interesante, atëhere dhe qëndrueshmëria e saj do të ruhet për një kohë të gjatë. Por, në qoftë se objekti do të jetë i varfër nga përmbajtja, vëmendja do të lëkundet dhe nuk do të përqëndrohet.
Për ruajtjen e qëndrueshmërisë së vëmendjes rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorë të tillë si gjendja emocionale, vullneti, interesat, kushtet e përshtatshme të punës, gjendja shëndetësore, si dhe evitimi i shkaqeve të tjera që pengojnë përqëndrimin.

6. Lëkundja e vëmendjes shprehet në mungesën e qëndrueshmërisë së saj për një kohë të gjatë në një objekt të caktuar. Lëkundjen e vëmendjes duhet ta dallojmë nga rritja ose ulja e përqëndrimi të vëmendjes, kur ajo brenda një kohe të shkurtër bëhet më pak ose më shumë e qëndrueshme. Lëkundjet e vëmendjes i vërejmë edhe atëhere kur ajo është e përqëndruar. Këto lëkundje shprehen në faktin se gjatë përqëndrimit të saj në një veprimtari të caktuar, ajo në momente të ndryshme kalon nga objekti kryesor tek një objekt tjetër dhe pas pak kohe kthehet përsëri tek kryesori.
Lëkundja e vëmendjes shkaktohet nga lodhja e qendrave nervore në procesin e veprimtarisë që kryhet me vëmendje intensive.

Hutesa

Hutesa është shfaqja e kundërt e vëmendjes. Në rastin tonë është një situatë kur njeriu nuk është në gjëndje ta përqëndrojë dhe ta ruajë vëmendjen për një kohë të gjatë në asnjë objekt, po përkundrazi shkëputet shpesh nga këto objekte nën ndikimin e ngacmuesve të jashtëm që nuk kanë rëndësi.
Shkaqet e hutesës janë të ndryshme. Njohja e tyre është e domosdoshme në mënyrë që ajo të luftohet. Shkaku i hutesës mund të jetë çrregullimi i përgjithshëm i sistemit nervor (nevrastenia), anemia etj Nganjëherë hutesa është rezultat i lodhjeve fizike dhe mendore, rezultat i emocioneve të forta dhe vuajtjeve, tronditjeve të rënda. Një nga shkaqet e hutesës është mbingarkesa e trurit me përshtyoje të shumta, jashtë mase. Mungesa e një regjimi të kujdesshëm ku ti lihet hapsire pushimit, argëtimit dhe zbavitjes është gjithashtu një faktor që ndikon në shfaqen e hutesës.
Në arsim p.sh. mësimet e mërzitshme, monotone, që nuk kërkojnë përpjekje të vullnetshme janë gjithashtu një nga burimet e hutesës.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου