NDJENJAT
Njohuri të përgjithshme mbi ndjenjat
Njeriu duke i njohur sendet ose fenomenet e ndryshme, jo vetëm që i pasqyron ato në mënyrë aktive, por mban edhe një qëndrim të caktuar ndaj tyre. P.sh. disa ngjarje e shqetësojnë, të tjerat e zgjojnë, e bëjnë entuziast, i ngjallin admirim etj. Kështu që njeriu provon ndjenja të ndryshme, të kënaqësisë, të pakënaqësisë, gëzimin dhe hidhërimin, admirimin dne revoltën etj.
Të gjitha këto ndjenja, janë shfaqe të gjëndjes së brendëshme të njeriut ndaj realitetit objektiv që e rrethon atë.
Burimin e ndjenjave ne duhet ta kërkojmë tek objektet dhe fenomenet e ndryshme të realitetit objektiv, me të cilin njeriu ka kontakt të vazhdueshëm gjatë jetës së tij të përditshme. Kështu, objektet ose fenomenet mund të jenë burim ndjenjash vetëm kur njeriu merr kontak me to, mëson diçka për to, me një fjalë njihet me to. Zakonisht ndjenjat jetohen sëbashku me proceset e ndryshme njohëse si ndijimet, perceptimet etj. Shpeshherë ndjenjat përcaktohen jo drejtpërsëdrejtë nga objekti ose nga cilësitë e tij, por nga rëndësia që ka për ne vetë objekti ose ndonjë cilësi e tij. Në këtë kuptim i njejti objekt mund të ngjalli ndjenja të ndryshme në momente të ndryshme dhe në persona të ndryshëm. P,sh. nëse po dëgjojmë një histori interesante, ndërpreja e saj na shkakton keqardhje ndërsa nëse historia që dëgjojmë nuk përbën interes për ne, atëherë ndërprerja e saj na gëzon.
Por burimi më i rëndësishëm dhe kryesor i ndjenjave gjendet në veprimtarinë e njeriut, në punën e tij. Veprimtari të ndryshme jetësore paraqesin edhe ndjenja të ndryshme ndërsa ndjenjat e thella dhe të forta lidhen zakonisht me punën dhe dashurinë.
Ndjenjat janë të lidhura edhe me kërkesat ose nevojat tona. Dihet që njeriu e drejton veprimtarinë e tij në përbushjen e nevojave që ka, të cilat janë të shumta dhe të ndryshme. Përmbushja e nevojave zakonisht është e lidhur me ndjenja pozitive kënaqësie, kurse mospërmbushja e tyre zakonisht shkakton pakënaqësi dhe ndjenja të tjera negative.
Pra, ndjenjë quajmë atë proces psikik, kur mbajmë qëndrim pozitiv ose negativ kundrejt realitetit, qëndrim që e jetojmë së brendshmi me një farë kënaqësie ose pakënaqësie.
Në çfarëdo lloj kushtesh historiko-shoqërore që të jetojë, njeriu provon ndjenja të ndryshme të kënaqësisë dhe pakënaqësisë, gëzimit dhe hidhërimit, dashurisë dhe urrejtjes. Por, po të shikojmë drejtimin e këtyre ndjenjave çfarë karakteri kanë, si rrjedhin etj, do të konstatojmë se ato ndryshojnë tek njerëzit në varësi të botkuptimit dhe kushteve të jetesës së tyre. Pra, përmbajtja e ndjenjave ka karakter shoqëror, sepse vetë njeriu është një qënie shoqërore. Aq sa dhe ndjenjat që lidhen me nevojat organike dhe biologjike si uria, etja, lodhja etj, janë të lidhura me ndjenjat morale dhe estetike.
Prandaj, ndjenjat e njeriut i shohim të lidhura ngushtë me vetëdijen, botëkuptimin, jetesën etj. Me ndryshimin e vetëdijes, botëkuptimit, pikëpamjeve dhe bindjeve të tij, ndryshojnë edhe ndjenjat e tij. Pra, në bazë të gjithë ndryshimeve qëndrojnë ndryshimet në aspektin shpirtëror, material dhe shoqëror të njeriut.
Cilësitë e ndjenjave
Ndjenjat kanë cilësitë e tyre, të cilat janë: subjektiviteti i ndjenjave, polariteti, karakteri aktiv dhe pasiv i ndjenjave, forca dhe zgjatja e ndjenjave.Njeriu i jeton së brendshmi në mënyrë subjektive fenomenet dhe ngjarjet e realitetit objektiv. Kështu, perceptimi i sendeve dhe fenomeneve të realitetit objektiv është i ndryshëm për njerëz të ndryshëm, sipas moshës, përvojës, arsimit, profesionit etj. Edhe qëndrimi i tyre ndaj sendeve dhe fenomeneve është i ndryshëm; për njërin ngjall kënaqësi, kurse për tjetrin pakënaqësi, për dikë admirim, për tjetrin revoltë etj.
Subjektiviteti i ndjenjave
Varet:
a) Nga botëkuptimi, pikëpamjet dhe bindjet e njeriut.
Pra, në varësi të këtyre aspekteve, shfaqe edhe ndjenjate të cilat janë ngulitur në brendësi të njeriut dhe bëhen udhëheqës në veprimtarinë e tij.
b) Nga ndryshimet individuale, që ekzistojnë tek njerëzit dhe që kanë të bëjnë me kërkesat e tyre, me motivet dhe qëllimet e përgjithshme gjatë veprimtarisë së tyre, si dhe nga gjendja e një kërkese në një moment të caktuar. P.sh. era e një ushqimi është e këndshme kur njeriu është i uritur, dhe indiferent dhe ngandonjëherë edhe e neveritshme kur ai është i ngopur. Ato ushqime që na duken të shijshme dhe na pëlqejnë, na duken të hidhura kur jemi të sëmurë etj.
Karakteri aktiv dhe pasiv i ndjenjave
Ndjenjat kanë karakterin e tyre aktiv dhe pasiv. Ky karakter duket në veprimtarinë e njerëzve. Ndjenjat, që e nxisin njeriun për punë, që e bëjnë të gjallë, entuziast dhe e aktivizojnë në veprimtarinë e tij, i quajmë ndjenja aktive. Zakonisht ndjenjat aktive janë gëzimi, dashuria, optimizmi, entuziazmi etj.
Ndërsa ndjenjat që e bëjnë njeriun e plogët, që e ulin aktivitetin e tij dhe e çmobilizojnë, quhen ndje nja pasive. Zakonisht ndjenjat pasive janë frika, dëshpërimi, mërzia, pesimizmi etj. Ndodh që e njejta ndjenjë të jetë aktive dhe pasive, sipas rastit dhe njerëzve të ndryshëm. P.sh. ndjenja e frikës mund të frenojë veprimtarinë e njeriut, por edhe mund të mobilizojë të gjitha forcat kundër situatës së vështirë apo rrezikut që i kanoset njeriut. Po kështu edhe gëzimi ka raste që shkakton rrjedhje forcash, etj, për aktivitet, por ka raste të tjera, kur kemi të bëjmë me një gëzim të qetë, që shkakton një farë plogështie etj.
Fuqia e ndjenjave
Ndjenjat dallohen edhe nga fuqia që kanë. Fuqia e ndjenjave përcaktohet nga rëndësia që kanë fenomenet ose veprimtaria që ka shkaktuar këtë ndjenjë, nga fakti se si është jeta e njeriut të caktuar, ç'qçndrim mban ai ndaj kërkesave të shoqërisë, me se janë të lidhura qëllimet dhe motivet e veprimtarisë së tij, dhe nga kërkesat në një rast të caktuar.
Baza fiziologjike dhe shfaqia e jashtme e ndjenjave
Si të gjitha proceset psikologjike, edhe ndjenjat janë një funksion i trurit. Mekanizmi nervor-fiziologjik i ndjenjave është procesi i nxitjes, i lindur në koren e trurit, i cili shpërndahet edhe në qendrat e nënkores së trurit.
Në qendrat e nënkores e kanë bazën e tyre reflekset e lindura të pakushtëzuara. Proceset fiziologjike, të cilat lindin gjatë reflekseve të pakushtëzuara, formojnë-njëkohësisht edhe bazën fiziologjike të ndjenjave më të thjeshta. P.sh. kënaqësia ose pakënaqësia, që lind nga plotësimi i nevojave biologjike. Ndjenjat komplekse lidhen me proceset nervore, që ndodhin në koren e trurit. Këtu, si rezultat i veprimeve të objekteve, formohen lidhje të përkohëshme nervore, të cilat shkaktojnë lindjen e ndjenjave të ndryshme.
Korja e trurit është organi me anën e të cilit njeriu drejton në mënyrë të vetëdijshme ndjenjat e tij, si edhe shfaqja e jashtme e tyre.
Për lindjen e ndjenjave të përkohshme rëndësi kanë lidhjet e përkohëshme nervore, që formohen në koren e trurit me anë të sistemit të dytë të sinjaleve. Fjala është një mjet ndikues tek të tjerët dhe mund të shkaktojë ndjenja të ndryshme.
Në bazën fiziologjike të ndjenjave luan rol edhe steriotipi dinamik. Me këtë duhet të kuptojmë se sistemi i lidhjes së përkohshme nervore, i formuar gjatë përvojës së kaluar, ushtron një ndikim të caktuar në ndjenjat. Kjo duket veçanërisht atëhere kur prishen sistemet e formuara dhe zëvendësohen me të reja, gjë që ndodh kur njeriu ndryshon kushtet e jetesës dhe të veprimtarisë së tij. Kështu p.sh. njeriu ndjenj një farë pakënaqësie dhe shqetësimi kur i prishet regjimi etj.
Veçoria karakteristike e ndjenjave qëndron në faktin se ato jo vetëm që lidhen me ndryshimin e veprimtarisë së organizmit, por shoqërohen me një sërë shfaqjesh të jashtme. Lindja e tyre shoqërohet me ndryshime të mimikës, të xhesteve, me shprehjen e syve etj. Kështu p.sh. më shpesh frika shprehet me mbledhjen e trupit, lëvizjet paralizohen ose njeriu ja jep vrapit, zverdhet, ka të dridhura në të gjithë trupin, zëri i ndërpritet, i thahet pështyma, i dalin djersë të ftohta. Zemërimi shprehet kryesisht me një pamje kërcënuese. Lëvizjet e njeriut të zemëruar janë të prera dhe energjike. Fytyra i skuqet, frymëmarrja bëhet më e thellë, zëri i fortë dhe kërcënues. Jo gjithënjë njeriu i shfaq ndjenjat e tij. Kur ai është i mësuar i përmban dhe i fsheh, p.sh. të qeshurit. Pra, njeriu ka raste që mund të shkaktojë ose të pengojë shfaqjen e ndjenjave, sipas qëllimit që mund t'i vërë vetes. Një gjë e tillë shihet qartë në teatër, në lojën e aktorëve ose kur njeriu bën lëvizje shprehëse, që janë në kundërshtim me gjendjen e vërtetë shpirtërore të tij, qesh në një rast hidhërimi ose mban pamje serioze kur ndjen nevojën të qeshë etj.
Ndjenjat shfaqen edhe me anën e të folurit, në intonacionin dhe timbrin e zërit. Në bazë të zërit ne me lehtësi dhe pa gabim mund të përcaktojmë gjëndjen emocionale të njeriut. Kështu p.sh. fjala "çfarë" kur mund të shprehet me intonacione të ndryshme. Nga shprehja e jashtme e saj mund të kuptojmë: pakënaqësi ose gëzim, shqetësim ose habi etj.
Format e ndjenjave
Duke marrë për bazë disa cilësi të ndjenjave si fuqinë, kohën e zgjatjes dhe karakterin veprues të tyre, dallojmë këto forma ndjenjash: humori, afiniteti dhe pasioni.
1) Humori është një gjëndje e përgjithshme emocionale, relativisht e dobët që jetohet nga njeriu për një farë kohe pak a shumë të gjatë dhe që i jep një ngjyrë të caktuar të gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.
Humori mund të qëndrojë për një kohë të gjatë ose të shkurtër, d.m.th. mund të zgjasë me ditë, javë ose muaj. Humori si çdo ndjenjë tjetër shprehet në formën e një gjëndjeje pozitive ose negative. d.m.th. në formën e gëzimit ose pesimizmit, të shqetësimit ose të qetësimit. Kjo gjëndje emocionale i jep një ngjyrë të caktuar të gjitha veprimeve dhe sjelljeve të njeriut dhe ndikon edhe në njerëzit e tjerë që e rrethojnë.
Humori i mirë ose i keq, i lartë ose i ulët varet nga shkaqe të ndryshme si: marrëdhëniet e njeriut në punë (suksesi ose mossuksesi), nga ndonjë ngjarje e rëndësishme, nga gjendja e mirë shëndetësore, nga kushtet atmosferike, nga marrëdhëniet ndërmjet njerëzve etj.
2) Afekti është një gjëndje emocionale e fortë, e furrishme dhe që nuk zgjat shumë. Gjëndje të tilla emocionale janë: tërbimi, tmerri, dëshpërimi etj. Shpërthime të tilla të furrishme ndjenjash mund të shkaktohen nga një lajm i papritur, gëzimi ose hidhërimi i madh, nga një fyerje e rëndë, nga ndonjë rrezik etj.
Nga pikëpamja fiziologjike, afektet karakterizohen nga lindja e një vatre me nxitje optimale në koren e trurit, e cila ushtron një veprim frenues në pjesët e tjera të kores dhe si rrjedhim, ngjet ajo që quhet "ngushtim i vetëdijes".
Vetëdija ngulitet në atë ngacmues që ka shkaktuar afektin. Kjo dobëson mjaft kontrollin e njeriut mbi veprimtarinë dhe sjelljen e tij, prandaj ai bën veprime të paarsyeshme, të cilat në gjëndje normale as që e mendon që mund t'i kryejë. Megjithatë, njeriu normal nuk e humb kurrë vetëdijen, kontrollin mbi veprimtarinë, ai po të dojë, po të mobilizojë vullnetin, mund ta përmbajë veten.
Gjendjet afektive shoqërohen edhe me ndryshime të rëndësishme të organizmit, me lëvizje të theksuara shprehëse si të qarit, të bërtiturit, të dredhurit etj.
3) Pasioni është ndjenjë e fuqishme, e qëndrueshme, aktive, që përcakton sjelljen dhe veprimtarinë e njeriut dhe shfaqet në aspekte të ndryshme të jetës së njeriut.
Sipas përmbajtjes dhe drejtimit të tyre: pasionet mund të jenë pozitive dhe negative. Pasione pozitive janë p.sh. pasioni për punën, për dashurinë, për shkencën etj, Ndërsa pasione negative janë pasioni për alkolin, për paranë, për pushtet etj.
Pasionet pozitive kanë rëndësi të madhe në jetën e njeriut. Ato gjallërojnë dhe pasurojnë botën shpirtërore të njeriut. Njerëzit me pasione pozitive të forta jepen tërësisht pas punës ose detyrës së tyre, dhe kanë sukses në jetë. Njerëzit pa pasion, janë njerëz indiferentë, të ngathët e pasivë. Jeta e këtyre njerëzve është e zbehtë dhe e zbrazur.
Krejt ndryshe ndodh me pasionet negative. Këto pasione dëmtojnë si shoqërinë ashtu edhe individin, ulin vlerën e personalitetit të tij dhe e çojnë njeriun në degjenerim moral dhe ekonomik. Por, edhe pasionet pozitive mund të shndërrohen në negative nëse e pengojnë njeriun nga detyra apo angazhime më me vlerë.
Pasioneve mund t'ua ndryshojmë edhe drejtimin. Njeriu me vullnet të fortë dhe me karakter të shëndoshë nuk bëhet kurrë "rob" i pasioneve të tij. Ai është në gjëndje t'i zotërojë dhe t'i drejtojë ato me anë të arsyes dhe forcës së vullnetit. Kështu që pasionet mund të zhvillohen dhe edukohen.
Llojet e ndjenjave
Ndjenjat i kemi të thjeshta dhe komplekse. Ndjenjat e thjeshta lindin tek njeriu kur ai i plotëson ose jo nevojat organike: urinë, etjen, etj. Ndjenjat e thjeshta kanë rëndësi biologjike, ato çojnë në koren e trurit sinjale mbi gjëndjen e përgjithshme të organizmit tonë.
Në ndjenjat komplekse bëjnë pjesë ndjenjat fetare,morale, politike, intelektuale dhe estetike. Këto norma morale përkufizohet si tërësia e normave dhe rregullave që vendosin rendin në shoqëri. Të gjitha veprimet dhe sjelljet e njerëzve, që i përgjigjeve normave morale, janë të moralshme. Kurse veprimet dhe sjelljet e njerëzve, që nuk përputhen me këto norma, janë jo të moralshme. Normat morale lidhen ngushtë me pikëpamjet dhe bindjet e njeriu.
Ndjenjat intelektuale. Ndjenjat intelektuale lindin në procesin e njohjes të së vërtetës, gjë që bëhet në procesin e punës dhe sidomos gjatë punës mendore.
Kur njeriu zbulon të vërtetën mbi sendet, fenomenet e realitetit objektiv, provon kënaqësi dhe në të kundërt provon pakënaqësi. Kështu që ndjenjat intelektuale lidhen me veprimtarinë mendore të njerëzve. Të tilla janë ndjenja e kuriozitetit dhe e dëshirës për të njohur, e habisë, e sigurisë, e pasigurisë, ndjenja e së resë etj. Të gjitha këto ndjenja lindin dhe zhvillohen gjatë procesit të njohjes, gjatë shtruarjes dhe zgjidhjes së çështjeve të ndryshme me karakter teorik dhe praktik.
Ndjenja e habisë i shfaqet njeriut kur në njohjen e sendeve të realitetit objektiv i del përpara ndonjë e papritur e pakuptueshme. Lindja e kësaj ndjenja tek njeriu e nxit atë që të kënaqë interesat e tij njohëse.
Ndjenja e dyshimit shfaqet kur njeriu nuk është akoma i sigurtë për mendimet që i kanë lindur. Kur e bën njeriun që të kërkojë të vërtetën dhe të japë përgjigje të saktë e të plota dhe të vërtetojë me saktësi mendimet e veta.
Ndjenjat e besimit dhe të sigurimit lindin gjatë zgjidhjes së një problemi dhe gjetjes të së vërtetës. Këto ndjenja e ndihmojnë shumë njeriun në punë për të vënë në jetë ato përfundime që ka arritur në veprimtarinë njohëse.
Ndjenjë e rëndësishme është edhe ndjenja e së resë, e cila lind gjatë lindjes së detyrave të ndryshme teorike dhe praktike. Kjo ndjenjë jetohet si një gjendje e veçantë gëzimi dhe shoqërohet me një ngritje të madhe të energjive të njeriut, sidomos në ato rastë kur detyra që duhet të zgjidhë ka rëndësi të madhe shoqërore.
Kjo lloj ndjenje përjetohet kryesisht nga njerëzit të cilët ushtrojnë veprimtari krijuese ose shkencore të cilët kanë të bëjnë me shpikje ose zbulime të reja.
Ndjenjat intelektuale kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin mendor të njeriut. Mendimi bëhet i fuqishëm dhe i thjeshtë vetëm atëherë kur përshkohet nga ndjenja të thella. Pikërisht ndjenja të tilla i shtyjnë njerëzit të kërkojnë të vërtetën. Karakteristika kryesore e një të vërtete është qëndrueshmëria e saj, pasi ajo mbrohet nga prova empirike dhe argumenta bindës duke arritur të mbijetojë përballë skepticizmit, kriticizmit apo sulmeve të drejtpërdrejta.
Ndjenjat estetike janë ato ndjenja që i jeton njeriu nga perceptimet e sendeve të bukura, kur i përfytyron drejtpërsëdrejti ose mendon për to.
Ndjenja estetike është një ndjenjë e gëzueshme, që shkakton kënaqësi tek njeriu, sepse sa më shumë të jetë e zhvilluar kjo ndjenjë aq më shumë gjëra të bukura gjen njeriu që i pëlqejnë, që i admiron dhe që janë për të burim gëzimi dhe kënaqësie.
Ndjenjat estetike lindin tek ne nën ndikimin e objekteve apo fenomeneve të realitetit objektiv që na rrethon. Ajo është e zhvilluar në shkallë të ndryshme, në njerëz të ndryshëm në varësi të formimit të tij, kushteve të jetesës, gjëndjes shoqërore, profesionit, mentalitetit etj.
Bota që na rrethon është e pasur me pamje dhe fenomene të shumëllojshme, prandaj edhe ndjenjat estetike të njeriut kanë një shumëllojshmëri.
Burmi kryesor i ndjenjave estetike janë vlerat morale dhe arti, poezia, piktura, skulptura, arkitektura, filmi, drama etj. Por ndjenjat estetike kanë karakter shoqëror pasi e bukura është relative dhe lidhet ngushtë me botkuptimin dhe zhvillimin e shijeve estetike të njerëzve.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου